Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Nuk ka gjykatë, tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim

Pas ftesës së kreut të PDK-së, Kadri Veseli për t’u intervistuar në Hagë, ka reaguar Presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se lufta për liri është kauza më e pastër, më e drejtë dhe më fisnike që mund ta ketë për fat një popull në historinë e tij.

“Fatin e viteve të gjata të robërisë dhe sundimit të popullit të Kosovës nga Serbia e ka ndryshuar përgjithmonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe angazhimi i të rinjve e të rejave që iu bashkëngjitën UÇK-së në luftë për liri dhe pavarësi. Lufta jonë për liri është kauza më e pastër, më e drejtë dhe më fisnike që mund ta ketë për fat një popull në historinë e tij”, ka thënë Thaçi.

Presidenti beson se Veseli e luftëtarë të tjerë kanë pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak në luftën e Kosovës.

“Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada. Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak”, shprehet ai.

Më tej thekson se, ‘nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’.

“Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin”, shkruan në fund Thaçi.

Exit mobile version