Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media nuk ka konfirmuar takimin me të dërguarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajkçak.
Thaçi theksoi se nëse Lajçak vjen vetëm për të hulumtuar terrenin, Kosova është duke hulumtuar tash e 20 vjet dhe vendi ka nevojë për hapa konkrete e jo për ligjërata të pafundme
“Në momentin që zbret në orët e mëvonshme ekipet tona do të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe nëse ka diçka konkrete dhe jo vetëm për të hulumtuar terren nuk ka arsye të mos u takuar. Nëse vetëm është duke hulumtuar terren Kosova është duke hulumtuar tash e 20 vjet dhe ne kemi nevojë për hapa konkret”, tha Thaçi.
Ai i bëri të qartë të dërguarit të BE-së se duhet të jetë i qartë në dy gjëra, për liberalizmin e vizave se çfarë qëndrimi kanë shtetet anëtare dhe se këtë e meritojnë qytetarët e Kosovës më tepër sesa ligjërata të pafundme dhe se si do ta trajtojë Kosovën.
“Nëse e trajton si shtet sovran dhe të pavarur ashtu siç është dhe e ka njohur bota demokratike atëherë procesi është më i lehtë, nëse jo atëherë është mision jo i suksesshëm nga ana e tij…”, tha presidenti.
Duke folur rreth pranisë së BE-së në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe takimin në Uashington, Thaçi tha se institucionet e Kosovës që do të jenë të unifikuar në qëndrim dhe prezantim.
“Do të jemi përballë Serbisë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hera e parë që diçka e tillë organizohet nga SHBA-të në Shtëpinë e Bardhë, prandaj është moment që duhet të shfrytëzohet maksimalisht dhe është historike për neve”, tha ai.
“..Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë aleatë dhe neve nuk na takon të pretendojmë për interferim por jam i bindur se do të ketë qasje koordinuese dhe plotësuese me njëra-tjetrën…”, tha ai, duke shtuar se synim edhe i SHBA-së dhe BE-së është progresi dhe zhvillimi në rajon.
Por, sipas Thaçit, kësaj radhe SHBA-të kanë marr rol udhëheqës dhe Kosova këtë e përshëndet.