Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përshpejton agjendën tonë integruese në NATO dhe OKB

Në 71-vjetorin e themelimit të aleancës në të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka thënë se roli i NATO-s dhe domethënia e saj për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe dinjitetit njerëzor është i njohur më mirë se kudo tjetër te populli i Kosovës.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “arritja e një marrëveshjeje për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një hap i nevojshëm që përshpejton agjendën tonë integruese në NATO dhe OKB”.

“Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Thaçit:

“71 vjet me parë ka hyrë në fuqi Traktati i Atlantikut Verior, baza legale e themelimit të NATO-s. Që nga ajo periudhë, NATO-ja ka shërbyer për ruajtjen e paqes, demokracisë dhe sigurisë së botës perëndimore e demokratike.

Roli i NATO-s dhe domethënia e saj për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe dinjitetit njerëzor është i njohur më mirë se kudo tjetër te populli i Kosovës.

Falë bashkëpunimit dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999, i është dhënë fund dhunës sistematike ndaj popullit shqiptar nga ana e regjimit të Millosheviçit.

Jemi mirënjohës ndaj vendeve anëtare të NATO-s, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin dhe kontributin e tyre historik për lirinë dhe rrethanat e reja që kanë krijuar për popullin tonë.

Aspirata jonë e përhershme drejt NATO-s vazhdon të na drejtojë edhe sot dhe jemi duke u angazhuar maksimalisht që, sa më parë, Republika e Kosovës të bëhet pjesë e saj.
Arritja e një marrëveshjeje për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një hap i nevojshëm që përshpejton agjendën tonë integruese në NATO dhe OKB.

Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Thaçi.

Exit mobile version