Me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar për nesër në takime të ndara kryetarët e partive politike nga pozita dhe opozita.
Siç njofton Zyra e Presidentit, takimin e parë presidenti Thaçi do ta zhvillojë me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Takimi i tyre është paraparë të mbahet në orën 10:30. Ndërsa, takimi me Kurtin është planifikuar për në orën 13:00, përcjell Telegrafi.
Thaçi do të takohet edhe me Kadri Veselin – kryetar i PDK-së në ora 11:30, kurse me Ramush Haradinajn- kryetar i AAK-së në ora 12:30.
Takimet e kreut të shtetit në Presidencë do të vazhdojnë me Fatmir Limajn -kryetar i NISMA-s në ora 13:45 dhe Behgjet Pacollin – kryetar i AKR-së në ora 14:15.
Presidenti Thaçi këto takime i mban pas vizitës së fundit në SHBA ku është takuar me homologun e tij nga Serbia Aleksandar Vuçiq.