Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Samitin e Zagrebit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, me temë perspektivën evropiane për rajonin dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia Covid-19.
Thaçi në adresimin e tij online ka përsëritur nevojën urgjente që BE-ja të marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
“Para 20 vitesh në Samitin e Zagrebit iu ofrua perspektiva evropiane Kosovës dhe Ballkanit. Është e dhimbshme që sot të dëgjojmë përkushtimin e njëjtë, por pa vendim për liberalizimin e vizave, e madje pa statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, përkundër që i kemi përmbushur të gjitha kriteret”, ka thënë Thaçi.