Site icon PrishtinaPress

Thaçi në pritje të lejes për anashkalim të Kuvendit

Presidenti Hashim Thaçi tash e dy muaj është në pritje të sqarimit të Gjykatës Kushtetuese nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti nuk kanë nevojë të ratifikohen nga Kuvendi. Vlerësohet se Thaçi në këtë formë shpreson që Kushtetuesja do t’i japë leje ta anashkalojë Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë në kuadër të fazës finale të dialogut të Brukselit. Ndërkohë që edhe zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që marrëveshja me Serbinë të ratifikohet në Kuvend

Ndonëse rreth dy muaj më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia parashtroi Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, Kushtetuesja ende nuk ka dalë me një interpretim rreth kësaj çështjeje. Ky nen specifikon qartë se marrëveshjet ndërkombëtare miratohen nga 2/3-at e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nga Gjykata i kanë thënë shkurt gazetës Zëri se kërkesa e presidentit mbi këtë çështje është në shqyrtim e sipër. Ky veprim i kreut të shtetit sipas përfaqësuesve të opozitës paraqet vetëm një tendencë të presidentit për ta anashkaluar tërësisht Kuvendin e Kosovës. Në kërkesën e drejtuar Kushtetueses Thaçi ka kërkuar të saktësohet nëse marrëveshjet ndërkombëtare konsiderohen të ratifikuara vetëm me nënshkrimin e presidentit ose duhet edhe votimi i 2/3-ve të deputetëve të Kuvendit.

 

Exit mobile version