Në këtë forum, pjesëmarrësit do të diskutojnë gjerësisht rreth modaliteteve për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet politikëbërësve në dobi të një Ballkani të qëndrueshëm. Duke identifikuar sfida dhe objektiva të përbashkëta, pjesëmarrësit do të diskutojnë edhe sesi bashkësia ndërkombëtare përmes bashkëpunimit publiko-privat mund të mbështesë rritjen dhe stabilitetin në rajon.
Në mesin e liderëve të tjerë pjesëmarrës janë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula von der Leyen, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, Ministrja për Presidencën Bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian 2018, Lilyana Pavlova, Zëvendëssekretarja e Shtetit dhe Zëvendësdrejtoresha Politike në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Krystyna Marty, njëherësh ish-Ambasadore e Zvicrës në Kosovë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Miroslav Lajčák, Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, etj.
Gjithashtu, në cilësinë e nikoqirëve do të jenë Klaus Schwab, themelues dhe drejtor ekzekutiv pranë Forumit Ekonomik Botëror, ish-Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Børge Brende, president dhe anëtar i bordit drejtues në Forumin Ekonomik Botëror, si dhe Martina Larkin, Drejtoreshë e Departamentit për Strategji Rajonale, Evropë dhe Azi, si dhe anëtare e komitetit ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror.
Ky takim i liderëve në Gjenevë vjen pas dialogut aktual mbi të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor.