Site icon PrishtinaPress

Thaçi ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për Shaban Polluzhën: Ishte frymëzues për shumë breza

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Shaban Polluzha, me rastin e 75 vjetorit të rënies së tij.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot kujtojmë dhe nderojmë me pietetin më të lartë dhe me përgjegjësinë më të lartë shtetërore Shaban Polluzhën dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij.

“Është në nderin e kombit shqiptar rreshtimi në kampin antifashist në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Rreshtim me vlerat demokratike dhe civilizuese. Radhitja në bllokun antifashist ishte shpresë se çështja e Kosovës do të zgjidhej, duke u bazuar në vullnetin politik të njerëzve të Kosovës. Ky vullnet ishte shprehur në Konferencën e Bujanit. Por, për fat të keq ëndrra për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë do të vritej nga kreu politik dhe ushtarak jugosllav. Kjo shpresë u vra edhe nga njerëzit e instaluar të Jugosllavisë në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Kosova dhe Drenica përjetuan terrorin dhe krimet më të tmerrshme të diktaturës komuniste në dimrin e vitit 1944-1945.

“Periudha tremujore: dhjetor 1944, janar dhe shkurt 1945, ishte ndër periudhat më tragjike, por edhe më heroike e popullit shqiptar në Kosovë. Një burrë Drenice, në moshën 74 vjeçare, kishte vendosur që ta ndajë fatin dhe udhëheq popullin e pambrojtur. Me paramendim dhe me strategji të qartë antishqiptare, kreu politik e ushtarak i Jugosllavisë me gjithë aparatin shtetëror filloi zbatimin e likuidimit të çdo atdhetari që kundërshtonte Jugosllavinë. Mijëra shtëpi u dogjën, mijëra civilë të pa armatosur u vranë dhe u masakruan. Më 8 shkurt 1945, kreu jugosllav e futi Kosovën nën masat e administrimit ushtarak, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai shtoi se objekt i këtij i këtij administrimi u bë e tërë Kosova, me fokus të veçantë Drenica e Hasan Prishtinës dhe Azem e Shotë Galicës.

“Synim i sulmit dhe goditjes u bë Drenica e komandantit Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica. Ai në krye të një numri të madh luftëtarësh vendosi që ta ndajë fatin me njerëzit e pambrojtur. Rezistenca u shua me gjak. Pas shuarjes së kryengritjes së Shaban Polluzhës, Kosova dhunshëm u aneksua nga Serbia në korrik të vitit 1945 në Mbledhjen e Prizrenit. Ky krim do të mbahej gjatë i heshtur”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi shtoi se zona ku ndodhi kryengritja më e madhe antikomuniste pas luftës së Dytë Botërore u diskriminua për 5 dekada me radhë.

“U diskriminua me moszhvillim, me izolim, me injorim nga të gjitha pushtetet që u instaluan në atë kohë, ai jugosllav dhe ai i instaluar në Kosovë. Emri i komandantit Shaban Polluzha u ndalua zyrtarisht, por asnjëherë nga mendjet e ndritura dhe zemrat e pastra atdhetare në Kosovë. Historia ndërroi rrjedhën dhe nga një figurë e ndaluar, Shaban Polluzha sot zë vendin e duhur në historinë moderne të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se ai qëndroi në anën e popullit në të gjitha periudhat e historisë.

“Ai mbrojti popullatën boshnjake nga sulmet çetnike në Kolashin dhe Novi Pazar, dhe ende në kujtesën e tyre çmohet si hero. Në periudhën e sundimit turk, pastaj serb, bullgar, italian dhe gjerman, Shaban Polluzha mbrojti interesat kombëtare të Kosovës. Sado në kushte jo të favorshme historike, me luftën e tij kundër aspiratave shoviniste dhe shkombëtarizuese të komunizmit jugosllav, Shaban Polluzha u bë frymëzues për breza të tërë, që u angazhuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se pa luftën e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe gjithë bashkëluftëtarëve të tyre nga Drenica dhe gjitha hapësirat shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj nuk do të ndodhnin as rezistencat e mëvonshme të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, si Lëvizja për Liri, Pavarësi e Bashkim e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, demonstratat e vitit 68 dhe 81 për Republikë dhe Pavarësi, as grevat e minatorëve dhe nuk do të ndodhte as ky progres i Kosovës e nuk do të lindte as Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe nuk do të ndodhte fare liria dhe pavarësia e Kosovës.

“Çdoherë me përulësi do ta kujtojmë jetën, veprën dhe luftën e komandantit Shaban Polluzha, Mehmet Gradicës dhe gjithë bashkëluftëtarëve ndër breza që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, përfundoi presidenti Thaçi.

Në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës sot ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për komandantin Shaban Polluzha.

Exit mobile version