Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizim ekonomik, më 4 shtator në Uashington, është krijuar momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, pas takimit të sotëm në Bruksel me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se “Jam mirënjohës për rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së në këtë proces. Roli i SHBA-së mbetet vendimtar edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe njohje reciproke”.
“Në këtë aspekt, ne gjithashtu i çmojmë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për arritjen e marrëveshjes finale”, ka shkruar Thaçi.
Duke folur për takimin e sotëm me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se “në një takim në Bruksel, nga z. Lajçak u informova për qëllimin e lehtësuesit që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me një marrëveshje finale, që nënkupton njohje reciproke. Prandaj, kërkohet që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkarisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes”.