Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin draft-rezolutën për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të zgjedhurit e popullit duhet të respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc,.
Tutje presidenti Thaçi, ka pohuar se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.
Postimi i plotë i Thaçit:
“Kosova, të zgjedhurit e popullit tonë, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëpërcaktim, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Jetësimi i këtyre kërkesave e ndihmon stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin tonë, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si president i vendit i kam mbështetur vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por sot i kam dërguar Kuvendit edhe një draft-rezolutë, ku përtej dallimeve politike apo çfarëdo qofshin ato, kam kërkuar që këto kërkesa të mbështeten dhe të miratohen edhe prej të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Në draft-rezolutën e presidentit Thaçit dërguar Kuvendit thuhet se, institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kësaj rezolute, obligohen që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me Referendum të vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.