Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Kërkesa për korrigjimin e kufijve, legjitime. SHBA dhe BE po inkurajojnë bisedimet paqësore

Kërkesa për korrigjimin e kufinjëve, legjitime. SHBA dhe BE po inkurajojnë bisedimet paqësore.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i vendosur të vazhdojë të kërkojë publikisht një marrëveshje paqësore me Serbinë, për të korrigjuar kufirin lindor të Kosovës me Luginën e Preshvës, dhe në shtator ka ndërmend ta shtrojë këtë dhe si temë në tryezën e bisedimeve dypalëshe. Ai thotë se SHBA dhe BE, po inkurajojnë dialogun me mjete paqësore dhe se ai ka mandatin që i jep Kushtetuta, ta përfaqësoj Kosovën në këtë proces.

Presidenti Thaçi injoron kritikat në adresë të tij dhe thotë se nuk ka arsye që propozimi i tij të ketë efekt domino për vende të tjera, derisa procesi bazohet tek bisedimet paqësore. Ai thotë se është konsultuar për këtë gjë me liderët politikë të Luginës së Preshevës, dhe se ata e kanë shprehur vullnetin për bashkim me Kosovën në referendumin e vitit 1992.

Presidenti Thaçi nuk e konsideron tabu, as hapjen e debatit për bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjithnjë duke i qëndruar proceseve paqësore. Ai thotë se ka një Plan B për të dalë nga ky debat pa dëmtuar Kosovën në rast se bisedimet dështojnë.

Intervista e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për gazetën “TemA” është e para që ai jep në shtyp pas nisjes së këtij debati.

Mero Baze:  Zoti president! Në kulmin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ju keni shkaktuar një debat kombëtar për shkak të perceptimit se ju po flisni për shkëmbim territoresh dhe ndryshim kufijsh, edhe pse ju formalisht flisni për korrigjim kufijsh. A jeni i vetëdijshëm se po hapni “Kutinë e Pandorës” në Ballkan?

Hashim Thaçi: Jetojmë në shekullin e XXI dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, i kanë kuptuar gabimet që kanë bërë në shekullin e kaluar. Problemet e hapura në shekullin XXI, zgjidhen me mjete paqësore. Unë po kërkoj që të bëhet korrigjimi i kufinjëve në mënyrë paqësore për t’i mundësuar Presheves, Bujanocit dhe Medvegjes të bashkohen me Kosovën. Askush nuk mund ta kundërshtoj një marrëveshje që arrihet në mënyrë paqësore. Rastet e tilla te korrigjimit të kufinjëve në mënyrë paqësore kemi anekënd botes. Vetem dy vite me parë, Belgjika dhe Holanda pa shkrepur asnjë plumb, korrigjuan kufirin e tyre në mënyrë paqësore. Pra “Kutia e Pandorës” në asnjë rrethanë nuk mund të hapet në Ballkan, në rast se marrëveshja ndermjet Kosovës dhe Serbisë, arrihet në mënyrë paqësore.

Mero Baze: Ju po thoni tani se jeni duke kërkuar vetëm korrigjim të kufirit me Luginën e Preshevës. A duket pak si joserioze t’i kërkosh Serbisë në tavolinë ndryshim kufiri në favor të Kosovës, ndërkohë që ajo ende nuk të njeh si shtet?

Hashim Thaçi: E keni gabim. Në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dy shtetet negociojnë në mënyrë të pavarur, të  barabartë dhe si shtete sovrane. Pra Serbia në negociatat në Bruksel, ulet përballë Kosovës dhe e konsideron atë si shtet të pavarur dhe sovran.

Mero Baze: Ju keni kërkuar sot referendum nga qytetarët e Kosovës për këtë çështje. Në fakt ata që duhet të pyeten dhe të vendosin, janë qytetarët e Luginës së Preshevës. A mendoni se Serbia është e gatshme të njohë një referendum të tyre?

Hashim Thaçi:  Qytetarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë demokratike nëpërmjet referendumit te organizuar ne vitin 1992. Vullneti i tyre politik është i qarte: ata duan t’i bashkangjiten Kosovës.

Mero Baze: Njësoj si ju, edhe presidenti Vuçiç, mund ta konsiderojë si korrigjim kufiri kërkesën për marrjen e Veriut të Kosovës. Cila do jetë përgjigjia juaj?

Hashim Thaçi: Jo, ende nuk e kam bërë një gjë të tillë në kuadër të dialogut në Bruksel, mirëpo do ta bëj në takimin e parë te radhës që pritet të ndodhë në shtator.

Mero Baze: A ka qenë ndonjë herë temë bisedimesh dypalëshe ose nga ndërmjetësit e bisedimeve, ndarja e Kosovës dhe ridefinimi i kufinjëve?

Hashim Thaçi: Jo, sepse unë kurrë nuk do të lejoj që ndarja e Kosovës të shtrohet si temë diskutimi në kuadër të dialogut në Bruksel.

Mero Baze: SHBA dhe BE duken më pak të alarmuara nga deklaratat tuaja. A ka lidhje kjo me faktin, se janë të informuar për çfarë bisedohet, dhe e kanë situatën nën kontroll, apo e konsiderojnë deklaratën marketing politik?

Hashim Thaçi: E vetmja e vërtetë qëndron në faktin se BE dhe SHBA janë të interesuara dhe inkurajojnë palët që të arrijnë marrëveshje paqësore të pranueshme për të dyja palët.

Mero Baze: Kritikët tuaj mendojnë se ju jeni në pozitë të vështirë për shkak të izolimit që BE i ka bërë Kosovës dhe problemeve me Gjykatën Speciale dhe po radikalizoni situatën për të qenë faktor kryesor bisedimesh me Perëndimin. Keni ndonjë përgjigje?

Hashim Thaçi:  Këto janë argumenta plotësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Kosova nuk eshte e izoluar dhe është në prag të liberalizimit të vizave.

Exit mobile version