Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Kadri Veseli është veç një viktimë e këtij maskarallaku

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke komentuar rastin me faje ku disa të arrestuar dyshohet se kanë marrë para në emër të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se është i tmerruar me mashtrimet, përgojimet dhe keqpërdorimet e personaliteteve publike.

Thaçi pas akademisë përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri, tha se nuk mund të flet në emër të asnjë partie por drejtësia duhet ta kryej punën e vet.

“Unë jam i tmerruar me mashtrimet dhe përgojimet dhe keqpërdorimet e emrave të personaliteteve publike, tash e një kohë të gjatë, e kësaj radhe edhe me kryetarin e parlamentit Kadri Veseli, i cili shquhet për pastërtinë e tij, moralin dhe etikën e tij të punës dhe organet e drejtësisë duhet ta kryejnë punën e vet sepse tek e fundit ajo që shihet deri tash dhe është konstatuar nga të gjithë, Kadri  Veseli është veç një viktimë e këtij maskarallaku”, ka thënë ai.

Emri i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ditëve të fundit, është bërë lajm, pasi që është përmendur nga persona të arrestuar si të dyshuar për fajde dhe mashtrime me para.

Por, njëri nga personazhet e kësaj afere, Kadri Rexhepi, ka shpjeguar se si ishte keqpërdorur emri i kryeparlamentarit Veseli nga ky grup.

Ai ka thënë se fjalët “200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli” nuk ishin të tijat dhe ka pohuar se nuk e ka takuar kurrë Kadri Veselin.

Rexhepi po ashtu ka rrëfyer se Rrahim Hashimi, i përfshirë në këtë aferë, e kishte mashtruar duke ia dhënë një numër telefoni gjoja të kryeparlamentarit Veseli.

“Unë kurrë nuk e kam parë Kadri Veselin, përveç në televizion. Ma ka dhënë edhe numrin e Kadri Veselit. Kemi biseduar me një telefon që ma ka dhënë ai. Lypke pare, por ai nuk ishte more hiç Kadria”, ka deklaruar ai.

Policia e Kosovës ka arrestuar një grup të të dyshuarve për fajde, mashtrim e detyrim. Drejtoria për Krime Ekonomike ka realizuar këtë aksion, pasi ky grup po hetohet për 2.5 milionë euro.

Ismet Osmani (Curri), Ilir Bojku, Mentor Maqani, Adil Thaçi, të arrestuar për këtë rast, mbeten në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa Rrahim Hashimi është liruar, edhe pse i njëjti u arrestua në Vushtrri, nën dyshimin për përfshirje në këtë grup.

Exit mobile version