Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Jam ithtar që Lugina t’i bashkohet Kosovës, këtë çështje do ta shtrojë në Washington

Presidenti Hashim Thaçi më takimin e së shtunës me palën serbe në Washington do të kërkojë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen Kosovës.

Thaçi në një intervistë për KosovaPress thotë se kjo çështje është parimore për vendin dhe natyrisht se në Washington do të ketë biseda të tilla.

Presidenti u shpreh skeptik se mund të arrihet një marrëveshje finale në takimin e 27 qershorit. Derisa thotë se nuk do të ketë një “mini-shengen” në marrëveshjen finale me shtetin fqinj.

Përkundër që u shpreh se në Washington do të shkohet me flamurin shtetëror të sovranitetit dhe integritetit territorial, Thaçi thotë se demarkimi i kufirit me Serbinë mund të hap tema dhe diskutime të ndryshme, por pa treguar se cilat mund të jenë ato.

“Nuk ka marrëveshje mes dy vendeve sovrane pa demarkimin e kufirit, pa caktimin e vijës kufitare prej ekspertëve të dy vendeve. Kjo është metodologjia që ndiqet në rastin e arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke mes dy vendeve. Ata që mendojnë ndryshe tregohen injorant edhe në politikë e diplomaci e gjitha sferat tjera. Demarkimi natyrisht se do të bëhet në vijat aktuale, por duhet të përmbyllet. Kjo hap tema dhe diskutime të ndryshme, unë nuk jam ekspert në këtë drejtim, por nuk mundet të ketë përmbyllje të konfliktit Kosovë-Serbi pa përcaktimin e vijës kufitare, të demarkimit. Natyrisht unë kam qenë, jam dhe do të mbetem ithtar i fuqishëm që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten Kosovës. E di se do të jetë shumë vështirë, por mua nuk më pengon që këtë çështje të shtrojë në tavolinë gjithmonë. Këtë çështje nuk e ka monopol askush dhe nuk është pronë e askujt, siç nuk është as e imja, është çështje parimore dhe në Uashington do ketë biseda parimore të qëndrueshme”, thotë ai.

Sa i përket idesë të një “mini-shenzheni” të përfaqësuesit të ShBA-së për dialogun, Richard Grenell, kreu i vendit thotë se ka ide të ndryshme për zhvillim ekonomik, por që e sigurt është se nuk do të ketë një “mini-shengen” të cilin vet e ka kundërshtuar.

Fokusi sipas tij duhet të jetë tek njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Do të ballafaqohemi si palë të barabarta me flamujt tonë shtetëror, do të jenë me mundësi të vogla, minimale për arritjen e ndonjë marrëveshje. Por ne do të bëjmë punën më të mirë. Nuk do të ketë ‘mini-shengen’. Tash ka ide të ndryshme, ka vlerësime të ndryshme prej ekspertëve dhe diplomatëve të ndryshëm evropianë dhe amerikanë. Por realisht, me realitetin do të ballafaqohen vetëm ata që do të jenë në tryezën e bisedimeve”, thotë ai.

Presidenti Thaçi komentoi edhe vizitën e kryeministrit, Avdullah Hotin në Bruksel.

Ai thotë se pavarësisht vizitës nuk do të ketë faktorë që mund të ndryshojë agjendën e Washingtonit, derisa thotë se në javën e tretë të korrikut, dialogu mund të vazhdohet në Samitin e Parisit.

“Vlerësoj që këto takime do të jenë frytdhënëse për vendin dhe njohëse për kryeministrin me autoritetet e reja në Bruksel. Çdo vizitë e çdo lideri institucional, apo partiak kudo qoftë në Bruksel apo Uashington janë të mirëseardhura për vendin tonë. Në asnjë rrethanë nuk ka faktorë që mund të ndryshojë agjendën e Uashingtonit, për arsye se është një fokus i qartë i ambasadorit Grenell dhe palët veçse janë pajtuar që e tëra të ndodh në Uashington në këtë periudhë kohore, me mundësi pastaj që të vazhdohet në Samitin e Parisit për të vazhduar tutje në Bruksel”, thotë ai.

Për udhëheqjen e dialogut, Thaçi theksoi se Kushtetuta e vendit e përcakton qartë hierarkinë dhe përgjegjësitë institucionale se kush do të jetë në krye të dialogun me Serbinë.

“Kosova do të jetë e përfaqësuar prej presidentit dhe kryeministrit dhe përgjegjësitë institucionale janë më se të qarta”, u shpreh ai.

Të shtunën e 27 qershorit delegacioni kosovar i përbërë nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti do të takohen për herë të parë në Uashington me palën serbe. Derisa i pari i vendit, në muajin dhjetor, i vetëm kishte zhvilluar një takim me presidentin Vuçiq, por pa arritjen e një marrëveshjeje finale.

Exit mobile version