Site icon PrishtinaPress

Thaçi i shkruan Kurtit, i kërkon propozimin e mandatarit të ri për formimin e Qeverisë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i është përgjigjur përmes dy letrave kryeministrit në detyrë njëherësh edhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, ku i ka kërkuar një emër të ri për ta mandatuar si kandidat për ta formuar Qeverinë e re.

Në letrën e parë drejtuar Kurtit, Thaçi ka thënë se pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë (Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 07-V-013, të datës 25.03.20120), në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Duke marrë parasysh Nenin 95 të Kushtetutës, Vendimin e Gjykatës Kushtetuese KO103/14, të datës 1 korrik 2014, dhe Vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 6 tetor 2019 (Protokoll i KQZ-së nr. 1845-2029, 27.11.2019), Lëvizja Vetëvendosje, është subjekti politik që ka fituar shumicën në Kuvend për të formuar Qeverinë dhe ka të drejtën e propozimit të kandidatit të ri, për të formuar Qeverinë. Ju lutem, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoni kandidatin e ri, të cilin do të mandatoj për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën zyrtare te presidentit Thaçi drejtuar Kurtit.

Ndërsa, në letërn e dytë, presidenti Thaçi ka shkruar se takimi i djeshëm mes tyre, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ka qenë takim konsultues me të si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, si lider i partisë së parë sipas rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 6 tetor 2019.

“Ka qenë një takim i karakterit formal, juridik e procedural, për konsultim për të vlerësuar nëse është në interesin e partisë politike që përfaqësoni ju formimi i Qeverisë së re apo shpërndarja e Kuvendit”, thuhet në sqarimin e presidentit Thaçi.

Kujtojmë se dje lideri i LVV-së, njëherësh edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i kishte shkruar dy letra presidentit Thaçi, ku kishte deklaruar se me të do të diskutojë vetëm për shpalljen e zgjedhjeve dhe luftimin e pandemisë së coronavirusit./Telegrafi/

Exit mobile version