Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka reaguar, përmes një statusi në Facebook, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Thaçi në këtë postim ka falënderuar Mustafën për këshillat, derisa ka ritheksuar se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën do të mbetet përkushtim i tij.
Këshillat, thotë Presidenti, e bëjnë edhe më të fortë drejt qëllimit që ai i ka vendosur vetes.
Ky reagim i Thaçit erdhi pas statusit të Mustafës i cili e ka quajtur të gabueshëm dhe të papranueshëm, diskursin e kreut të shtetit për korrigjim të kufijve.
“Ai duhet të korrigjohet. Nëse jo do ta ketë veten në qafë, jo të tjerët”, kishte shkruar Mustafa.
Më poshtë gjeni statusin e plotë:
Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, nëpërmjet një postimi më paska dhënë disa këshilla. Duke e falënderuar atë për këtë përpjekje, ritheksoj se asnjë e keqe nuk i vjen vendit nga debati dhe paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme për realizimin e qëllimit të përbashkët.
Korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi im i pandalshëm. Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne.
Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura.
Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua. Të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë. Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë! HTH