Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit, Albin Kurti, i cili ka thënë se ekziston një marrëveshje sekrete mes Thaçit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Thaçi ka kundërshtuar ashpër Kurtin, duke thënë se ai i frustruar po vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet.
“I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin. I pa dinjitet. Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike. Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi. Qesharake për Kosovën. Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.
Më tej, presidenti ka thënë se e vetmja konstante e Kurtit është të qenit në anën e kundërt të Amerikës.
“Rikujtoj: Këtë qëndrim KUNDËR, Kurti e ka mbjellë në kohën e Konferencës së Rambujesë. Ishte kundër administratës Klinton. Edhe në Vjenë, kundër administratës Bush. Edhe me demarkacionin me Malin e Zi kundër administratës Obama-Biden. Edhe tash kur ofrohet një mundësi nga administrata e Presidentit Trump për njohje reciproke, Kurti përsëri kundër. E vetmja konstante e Kurtit është të qenit në anën e kundërt të Amerikës. Në anën e kundërt të historisë. Populli i Kosovës ka besim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aleanca me SHBA-në është e shenjtë. Ne të gjithë e kemi për detyrë ta mbrojmë”, vijon shkrimi i tij.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/3547006318703035