Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Hyseni ka mandat për të negociuar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka mirëpritur emërimin e Skënder Hysenit, si koordinator për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e Hysenit në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike.

Postimin i plotë i Thaçit:

“E mirëpres emërimin e ish-kryediplomatit të Kosovës, z. Skënder Hyseni, koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Emërimi i z. Hyseni është produkt i koordinimit ndërshtetëror. Kam besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e z. Hyseni në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike. Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës. HTH”, ka shkruar Thaçi, transmeton Telegrafi.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot Skënder Hyseni është emëruar Koordinator Shtetëror për Dialog. Sipas njoftimit, kryeministri Avdullah Hoti ka marr vendim që ta emëroj në këtë pozitë.

Emërimi i Hysenit në pozitën e koordinatorit për dialog, vjen pasi bisedimet në nivelin politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian rinisën më 16 korrik.

Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim u tha se u bisedua për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Pas takimit të dialogut në nivelin politik, BE-ja paralajmëroi se ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të takohen këtë javë, kurse Hoti e paralajmëroi takimin për te enjten.

Por, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se të hënën se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik – por, Kosova do të dialogojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke.

Exit mobile version