Site icon PrishtinaPress

Thaçi homazhe në Velani te varri i Demaçit, e quan njeri të pavarësisë

Presidenti Hashim Thaçi ka nisur javën duke bërë homazhe në varrin e veprimtarit Adem Demaçi, që vdiq të enjten. Vizita e menjëhershme e Thaçit te varri i Demaçit erdhi pas një vikendi plot polemika dhe krahasimeve mes Demaçit dhe Ibrahim Rugovës. Ndërsa, Thaçi para mediave sot e quajti Demaçin njeriun e Pavarësisë.

Derisa ceremonia mortore e Adem Demaçit kaloi me shumë komente, për shkak të bojkotit që ia bëri Lidhja Demokratike, Presidenti Thaçi ka shkuar edhe sot për t’i bërë homazhe veprimtarit.

Ndërsa, arsyeja e LDK-së në ceremoninë mortore supozohet të ishin raportet jo të mira dhe qëndrimi që kishte Demaçi ndaj liderit historik të LDK-së. Kësisoj Demaçi dhe Rugova, të vdekur, u kthyen në kundërshtarë të njëri-tjetrit.

E, Presidenti Thaçi, i përcaktuar në rëndësinë që ka Demaçi, nisi sot javën, duke bërë homazhe në Velani.

“Sot në këtë ditë të parë të punës të nderojmë në mënyrë shtetërore njeriun e Pavarësisë së Kosovës, autoritetin dhe institucionin moral, politik dhe gjithëkombëtar, Adem Demaçin”, ka thënë Thaçi, transmeton Express.

Demaçi vdiq të enjten në moshën 82-vjeçare, ndërsa u varros të shtunën në Velani, jo shumë larg varrit të Ibrahim Rugovës.

 

Exit mobile version