Site icon PrishtinaPress

Thaçi – Haradinajt: Korrigjohu ose ndërrohesh shpejt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një konference për media, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me deklaratat e tij për dialogun me Serbinë.

Sipas kreut të shtetit, një kryeministër duhet të tregohet më i kujdesshëm në deklaratat e tij, pasi që siç u shpreh Thaçi, asnjë post nuk është i përjetshëm.

Thaçi po ashtu ka thënë se, një kryeministër normal nuk mund të bëj deklarata në të cilat çdo ditë kryefjalë është lufta, raporton lajmi.net.

“Dialogu nuk ka vdekur, përkundrazi është në një fazë të rëndësishme. Është deklaratë interesante edhe nga ana e kryeministrit dhe kjo tregon se është në humor të mirë ose ndjehet komod në karrigen e vet. Unë kam pritur nga kryeministri që të jetë më racional për qëndrimin e tij për dialogun. Një kryeministër normal nuk flet  çdo ditë për luftë”, ka thënë Thaçi në këtë konferencë.

Kreu i shtetit po ashtu shtoi se nuk e shqetësojnë këto deklarata mirëpo, siç tha ai, ai ka rolin e tij në këtë dialog ashtu siç e parasheh kushtetuta. Ai kërkoi nga Haradinaj që të korrigjoj deklaratat e tij.

“Nuk jam fare i shqetësuar për deklaratat populiste apo elektorale, sepse tek e fundit unë do të luaj rolin tim udhëheqës në bazës të mandatit tim kushtetues e ligjor dhe në asnjë rrethanë nuk do ti ushtrojë ato kompetenca që nuk më takojnë, unë jam duke i udhëhequr ato negociata dhe jo kryeministri. Kërkoj deklarata më t ë matura nga ana e kryeministrit. Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë që ti korrigjoj deklaratat në lidhej me procesin e dialogut. Pa dialog nuk ka të ardhme as në NATO as në BE e as njohje nga Serbia. Të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershëm”, deklaroi Thaçi.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, kryeministri Haradinaj kishte thënë se ‘ka vdekur’ ideja për ndryshim kufijsh, duket shtuar që duhet shprehur ngushëllime të gjithë atyre që kanë pasur pretendime për një ide të tillë.

Exit mobile version