Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Fushata e Daçiqit, denigruese për vetë serbët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar për media para nisjes për në forumin e Bratislavës.

Ai tha se atje me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq do të diskutojë vetëm në panel, dhe se nuk do të ketë takim të veçantë.

Foli edhe për taksën, tha se duhet të mbetet në fuqi derisa Serbia të njoh Kosovën.

“Tarifa është një vendim i drejtë legjitim, duhet të mbetet në fuqi, nuk duhet ta shikojë dikush si kriter shtesë për liberalizim”, tha Thaçi.

Për fushatën e Ivica Daçiq me kartëmonedha “Kosova është Serbi”, kreu i vendit tonë tha se është fushatë denigruese për vetë serbët.

“Kosova sa më pak të merret me njerëz të tillë pa ndikim, më mirë. Mos të humbim kohë me slogane të ulëta. Është e qartë për të gjithë botën, Kosova është vend i lirë dhe i pavarur. Kjo fushatë është denigruese për ta. Shihet se ata jetojnë në shekulli e kaluar. Ne duhet të punojmë në përputhshmëri me realitetin tonë”, tha ai.

Në Bratislavë, presidenti tha se do t’i paraqesë të arriturat e shtetit të Kosovës.

“Është mundësia e parë që në nivel presidencial të përfaqësohet Kosova në këtë forum, ku do të diskutohet për aktualitetin e Kosovës, do të prezantojë të arriturat e shtetit tonë. Do të jetë një mundësi të diskutohet edhe për dialogun Kosovë-Serbi për mundësinë e një arritje të një marrëveshjeje historike. Do të jetë një diskutim jo i lehtë. Do të ritheksoj qartë që dialogu duhet të vazhdojë i pakushtëzuar me synim që të përmbyllet ky proces shumë i rëndë, për arritjen e një marrëveshje si dy shtete sovrane, ligjërisht e obligueshme, gjithëpërfshirëse, që do të përfundonte me njohjen reciproke të dy vendeve, dhe njohjen e Kosovës nga pesë shtetet që nuk e kanë njohur. Do të ritheksoj çështjen e liberalizimit të vizave. Duhet të marrë fund ky diskriminim dhe izolim për qytetarët tanë. Ky forum do të jetë mundësi të takohem edhe me përfaqësues të SHBA-së”, u shpreh kreu i vendit.

Exit mobile version