Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit në Uashington me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takim është diskutuar për “domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë-Serbi” dhe për “mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare”.
“Takimi ka qenë korrekt, konstruktiv, pa ndonjë të veçantë”, tha Thaçi, për Radion Evropa e Lirë.
“Është treguar një vullnet i mirë që gjërat të çohen përpara në interes të të dyja vendeve”, shtoi ai.
Presidenti Thaçi bëri të ditur se takimi është zhvilluar me ftesë të të dërguarit të posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ndërsa i pranishëm ishte edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.
Thaçi tha se në takim nuk është diskutuar për “gjëra të veçanta”, ndërsa shtoi se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë vlerësuar “rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara” në dialog.
“Shpresoj se në etapat e ardhshme do të kemi orientime, sa i përket substancës, por, në të njëjtën kohë, edhe afateve kohore. Por, ajo që mund të them aktualisht është se ky takim ka qenë takim i vullnetit të mirë, simbolikë e dërgimit të mesazhit të paqes për Kosovën dhe Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.
Sipas tij, takimi i së hënës rikonfirmon edhe një herë zotimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që t’i lëvizë gjërat përpara me një dinamikë të re.
Më herët, përmes një postimi në Facebook, Thaçi tha se pret që të mërkurën ose të enjten t’i mundësohet raportimi në Kuvendin e Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet e tij në Uashington dhe më specifikisht për takimin e së hënës.