Site icon PrishtinaPress

Thaçi flet për takimet në SHBA, thotë se vizita ishte e domosdoshme pas bisedimeve që realizoi në Bruksel

Presidenti i vendit Hashim Thaçi i cili po qëndron në SHBA thotë se aty ka marrë mbështetje të plotë për integrimin euro-atlantik të Kosovës.

Thotë se me zyrtarë të shtetit amerikan diskutuan për hapat që duhet të ndërmerren në ecjen përpara të shtetit tonë.

“Mund të them se pas vizitës që kisha javën e kaluar në Bruksel ku diskutova me të ngarkuarin special të Bashkimit Europian për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ishte mundësi dhe ishte e nevojshme dhe e domosdoshme që të jem edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që në këtë fazë të dialogut Kosovë-Serbi por edhe hapave tonë të mëtutjeshëm për integrime euroatlantike të jemi në Washington dhe kisha kënaqësinë e veçantë që të bashkëbisedojë me zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së SHBA-së për hapat që duhet t’i ndërmarrë Kosova aktualisht por edhe në të ardhmen”, u shpreh Thaçi për RTV21.

“Mund të them lirisht se SHBA vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën në zhvillimet e brendshme, në stabilitetin institucional, në prioritetet që kemi ne si shtet dhe Kosova do të vazhdojë të mbetet aleati më besnik i SHBA-së në rajonin tonë”, shtoi i pari i vendit.

Thaçi thotë se në Bruksel dhe SHBA kërkoi që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të ketë vetëm një rend dite, çështjen e njohjes reciproke në mes të dy vendeve.

“Bashkëpunimi me SHBA-në është në vazhdën e angazhimeve tona strategjike, por ajo që duhet të theksoj është që edhe me zyrtarët në Bruksel por edhe në SHBA kam theksuar qartë se çështja e dialogut Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të re dhe duhet të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës, ajo e njohjes reciproke në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe pastaj vijnë çështjet e tjera. Ne duhet të vazhdojmë këtë proces duke filluar nga koka e çështjes dhe jo nga bishti”, tha Thaçi.

Exit mobile version