Site icon PrishtinaPress

Thaçi falënderon Trumpin për mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar në Paris homologun e tij amerikan Donald Trump, më ç’rast e ka falënderuar për mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në ceremoninë e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka takuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Presidenti Thaçi përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka publikuar fotografi nga takimi me presidentin Trump, me ç’rast edhe e ka falënderuar atë për mbështetjen që Amerika ia jep Kosovës.

Po ashtu përmes këtij postimi, presidenti Thaçi ka bërë të ditur se SHBA-ja dhe presidenti Trump mbështet 100% arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Postimi i plotë i presidentit Thaçi pa ndërhyrje:

Në Paris takova presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilin e falënderova për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën dhe rolin e saj vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

Në këtë periudhë të rëndësishme për Kosovën ishte inkurajuese të dëgjoj se presidenti Trump mbështet “100% arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ne në Kosovë jemi dhe do të mbetemi përherë mirënjohës ndaj SHBA-së dhe popullit amerikan.

Exit mobile version