Përmes një postimi në Facebook Thaçi ka bërë të ditue se ka diskutuar me Mogherininin në lidhje me fazën e fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Tutje presidenti ka vlerësuar se ky është një momentum historik për arritjen e një marrëveshje përfundimtare në mes të dy vendeve.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij.
“Pata një takim të shkëlqyer me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, me të cilën diskutuam për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
I rikonfirmova edhe një herë gatishmërinë tonë për dialogun, proces ky për të cilin mora mbështetje edhe nga shumë liderë botërorë në takimet që kam zhvilluar këto ditë.
Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si dhe marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, është krijuar një momentum historik për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet dhe do të krijonte perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE.