Kosova dhe Serbia po hapin kapitullin e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Takimet e radhës në Bruksel, ka nënvizuar Thaçi, pritet të udhëhiqen nga niveli i presidentëve të të dyja vendeve, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
“Përfundimisht ka ardhur koha që të hapet kapitulli i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
“Kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore që nënkupton një normalizim në rrafshin politik, atij të sigurisë, në rrafshin ekonomik, të integrimeve rajonale e euro-atlantike, gjithmonë mbi vlerat dhe bazat e perspektivës evropiane të dy shteteve”, ka thënë Thaçi.
“Sa u përket çështjeve të brendshme, secili shtet është autonom, ka sovranitetin e vet dhe nuk do të negociohet asgjë sa u përket çështjeve tjera, të cilat mendohet se mund të diskutohen”, ka vijuar presidenti Thaçi.
Andaj, sipas tij, mund të diskutohen vetëm çështjet e normalizimit të raporteve ndërshtetërore dhe nuk do të diskutohen çështjet e brendshme të Kosovës.
Thaçi ka thënë se nuk mund ta parashikojë se sa do të zgjasë ky kapitull i bisedimeve, por ka preferuar që të përmbyllet sa më shpejt.
Sipas tij, Serbia, kohët e fundit, ka provokuar rëndë Kosovën qoftë me fletë-arrestet në fuqi, siç ishte rasti me Ramush Haradinajn, pastaj me murin në Mitrovicë dhe nisjen e trenit për në veri, çka ka nënvizuar ai, e bën të domosdoshme që të dyja vendet të diskutojnë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
“Definitivisht që zgjidhja më e mirë e mundshme është që të ndodhte njohja nga Serbia për Kosovën. Kjo do të nënkuptonte përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm të dialogut, fillimisht për çështje teknike dhe tani të një faze të avancuar të dialogut, apo të kapitullit të fundit të normalizimit që do të sillte përfundimisht edhe njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka deklaruar Thaçi.
Takimi i radhës, në nivel të presidentëve dhe kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, është thirrur për 24 janar, në Bruksel.