Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u zhvillua konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith ka deklaruar se planifikojnë urdhër për heqjen e të gjithë redaktimeve në aktakuzë deri në fund të muajit janar 2023.
Ai ka thënë se, ndonëse shumë prej redaktimeve në materialet provuese që janë nxjerrë e që Zyra e Prokurorit të Specializuar synon t’i përdorë mund të kenë qenë të domosdoshme në fazat e para të procesit, por sipas tij, shumë prej tyre tani mund të jenë të panevojshme dhe mund të jenë pengesë për zhvillim efikas të gjykimit.
“Trupi gjykues vëren se një numër i madh i redaktimeve apo një numër i madh i dokumenteve që nuk lejojnë të nxirren janë autorizuar në fazën paraprake sepse ishin të domosdoshme dhe proporcionale në atë fazë të procesit. Tani që jemi gati të fillojmë gjykimin, turpi gjykues mendon që shumë prej këtyre redaktimeve nuk janë më të nevojshme apo proporcionale. Nëse i mbajmë, shumë prej këtyre redaktimeve në fakt cenojnë në mënyrë krejt të panevojshme të drejtën themelore të të akuzuarve… Trupi gjykues dëshiron të bëjë me dije se planifikon të urdhërojë heqjen e të gjitha redaktimeve në aktakuzë, sa i takon mbrojtjes, jo më vonë se 30 janari 2023”, ka thënë Smith.
Ai ka thënë ZPS duhet të vërtetojë nevojën për t’i mbajtur ende redaktimet në versionin publik të aktakuzës në përputhje me rregullën 88 2 të rregullores.
Kryetari i trupit gjykues ka thënë seancat private dhe të mbyllura do të jenë të kufizuara dhe më shumë do të jenë një përjashtim se sa rregull.
Ai ka theksuar se të gjitha redaktimet e materialet provuese që ZPS synon t’i përdorë lidhur me 40 dëshmitarë të tjerë, përfshirë çdo deklaratë të dëshmitarit, duhet hequr 30 ditë para fillimit gjykimit. Por ka deklaruar se masat mbrojtjes do të mbetën në fuqi sa i përket publikut të gjerë.
Në këtë seancë, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe tha se ka një çështje tjetër për këta 40 dëshmitarët që beson se duhet ta diskutojnë në seancë private.
Ndërsa avokati i Kadri Veselit ka bërë të ditur se synon të flasë për një dëshmitar por që theksoi se prokuroria kishte kërkuar të diskutohet në seancë private.
Në këtë seancë, gjykatësi Smith bëri të ditur se ka planifikuar që më 1 mars 2023 të fillohet me deklaratat hyrëse por për këtë mbrojtja e kërkoi fundin e marsit.
Ndërsa në fillim të seancës gjykatësi Smith u foli palëve për mënyrën sesi planifikon të zhvillohen seancat.
“Trupi gjykues vëren se nuk do t’i lejojë palët që të bëjnë rrëfime historike të cilat nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me përfundimin e kësaj çështjeje gjyqësore. Trupi gjykues vëren po ashtu se ndryshe nga ajo që është thënë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq këtu, nuk është në gjykim, nëse kështu e kupton pala mbrojtëse argumentin e ZPS-së kjo nuk është përfundim i trupit gjykues, këtu janë katër të akuzuar që gjykohen dhe askush tjetër”, ka thënë ai.
Smith theksoi se trupi gjykues do të merret vetëm me rrethanat që kanë të bëjnë me të akuzuarit.
Ai shtoi se krimet serbe nuk janë çështje të diskutueshme dhe nuk ka nevojë të dëgjohen çështje të tilla por shtoi se nëse mbrojtja dëshiron të demonstrojë se si një incident me krime serbe ka pasur të bëjë me mënyrën e strukturimit dhe që ndërlidhet me aktakuzën, gjykata do të lejojë këtë.
Lidhur me këtë, avokati i Thaçit tha se në momentin e duhur do të diskutojnë se çfarë lidhje kanë krimet serbe me provat që do të paraqesin. /kp/