0.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Thaçi: Deputetët që votojnë kundër demarkacionit do të kenë përgjegjësi historike

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi në një intervistë për lajmi.net iu ka bërë thirrje edhe një herë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Në të kundërtën, thotë ai, do të vihet në pikëpyetje kredibiliteti i shtetit të Kosovës, por edhe marrëdhëniet me aleatin kryesor, SHBA-të.
Sipas tij, është absurde se si opozita me ambicien e saj për pushtet është përpjekur në këto muaj që ta nxjerrë Malin e Zi në sytë e opinionit publik të Kosovës, si të ishte një shtet dashakeq e grabitqar.
“Mund të thuhet me gojë të plotë se Mali i Zi është një shtet mik yni, sepse e ka mbështetur shtetin tonë në çdo hap apo proces ndërkombëtar pavarësisht kostove të brendshme e të jashtme. Ndryshe nga Bosnje Hercegovina, Mali i Zi na ka njohur e mbështetur ndër të parët në rajon pavarësisht se një  e treta e popullsisë së këtij shteti i përket etnisë serbe dhe dirigjohet nga Beogradi”, ka thënë presidenti Thaçi.

Po se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta votonte këtë marrëveshje, Thaçi tha “Unë nuk dua ta mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk do ta votonte këtë Marrëveshje pasi dëmi do të ishte i madh dhe i shumëfishtë për Kosovën. Ne ende e kemi të papërfunduar plotësisht njohjen botërore të Kosovës e me vështirësi të mëdha po përpiqemi të anëtarësohemi në organizatat kryesore ndërkombëtare me ndihmën e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë perëndimor. Këto sfida do të bëheshin të pakapërcyeshme po qe se nuk do të kemi ndihmën e partnerëve strategjik. Gjithashtu demarkacioni nuk lidhet vetëm me vizat e shumëpritura nga qytetarët tanë por edhe me proceset e integrimeve Euro-Atlantike në përgjithësi. Ne i kemi nisur vonë proceset e integrimit në BE dhe NATO krahasuar me fqinjët tanë, dhe nëse nuk do dëshmohemi si partner të besueshëm e serioz ndaj mbështetësve tanë, ju siguroj që këto procese do të zgjateshin pafund dhe Kosova do të hynte në kalkulime për sa i përket integrimeve. Po ashtu edhe me fqinjët tanë malazez do të dalim si bukëshkalë që mbështetjen e madhe shtetërore që na e kanë dhënë e shpërblejmë me pretendime territorial”.
President po ashtu ka thënë për lajmi.net se izolimi ndërkombëtar do të na sillte një dëm të pallogaritshëm edhe në gjendjen e brendshme prandaj deputetët që votojnë kundër do të kenë një përgjegjësi të madhe historike personale.
“Deputetët e mazhorancës në veçanti duhet të kenë edhe një gjë tjetër mirë parasysh.  Dështimi në parlament i demarkacionit do të shpërblente opozitën për gjuhën e urrejtjes dhe dhunën e kryer prej saj sepse do të tregonte se veprimet vandale të deritanishme janë rezultative dhe ia dalin të korrin sukses. Pra ata deputetë nuk ia kanë borxh vetëm interesave të shtetit, votuesve që i kanë votuar për integrim e jo izolim, partisë që i ka dhënë besim por edhe dinjitetit dhe krenarisë së tyre pas gjithë atyre poshtërimeve, bombave me gaz lotsjellës dhe molotovëve që kanë pësuar me muaj me radhë.  Mosvotimi i Demarkacionit sjell një precedent të rrezikshëm për të ardhmen politike të Kosovës, sepse do të niste një traditë ku e vërteta dhe e drejta mund të shkelen me anë të dhunës dhe shantazhit. Kjo gjë do e bëj shumë të vështirë për çdo aktorë politik në të ardhmen që të marrin vendime delikate në të ardhmen. Prandaj unë kam besimin që pavarësisht vështirësive, pjesa më e shëndetshme e shoqërisë sonë do tregojë përgjegjësinë dhe pjekurinë e duhur duke e mbështetur jo vetëm këtë marrëveshje, por të gjitha ato veprime të vështira që i takojnë një shteti serioz e të respektueshëm”, tha Thaçi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img