Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Bashkimi i Gjermanisë forcoi themelet e një Evrope të bashkuar rreth vlerave perëndimore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë për “Ditën e Gjermanisë”.

Thaçi ka thënë se sot po e shënojmë së bashku përvjetorin e njëzet e tetë të bashkimit të Gjermanisë.

“Bashkimi i Gjermanisë, në vitin 1990, u përcoll me ndryshime dramatike në gjithë Evropën. Atë ditë përveç që u bashkuan dy Gjermanitë, në të njëjtën kohë u hodhën themelet e një Evrope të bashkuar rreth vlerave më të qëndrueshme të qytetërimit perëndimor”, u shpreh presidenti Thaçi.

Pa këtë ndryshimin e madh në Evropë dhe në botë, sipas presidentit Thaçi, do të ishte e paimagjinueshme që Kosova të bëhej vend i lirë dhe shtet i pavarur.

“Këtë vit, ne, po ashtu, kremtojmë dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës dhe të marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve tona mike, në mes të Kosovës dhe Gjermanisë. Por, ne e dimë shumë mirë që miqësia midis dy popujve tanë është shumë më e gjatë. Ne mburremi me marrëdhëniet miqësore që kemi pasur gjithmonë. Ne kemi qenë dhe do të jemi përherë mirënjohës për ndihmën e pakursyer politike, diplomatike, ekonomike dhe financiare që ka dhënë Gjermania për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka shtuar se Gjermania ka qenë shtëpi e madhe për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës në vitet më të rënda të historisë së Kosovës dhe ata sot janë ura më e mirë që lidhë dy shtet dhe dy popujt tanë.

“Evropa dhe bota e sotme janë larg atij entuziazmit të vitit 1990, kur ndodhi bashkimi i Gjermanisë dhe i Evropës. Të gjithë ne po përballemi me sprovat të cilat janë llogaritur si të tejkaluara njëherë e përgjithmonë. Kosova dhe Gjermania janë së bashku në ruajtjen dhe fuqizimin e vlerave qytetëruese, politike dhe ekonomike, të botës euroatlantike. Në Kosovë, ne gjendemi para vendimeve të mëdha për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjate të shtetit të Kosovës dhe mirëqenien për qytetarët tanë. Me të drejtë presim që edhe ne së shpejti të udhëtojmë pa viza në Evropë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka theksuar nevojën e domosdoshme për ta forcuar edhe më shumë sundimin e ligjit në vendin tonë.

“Forcat e Sigurisë së Kosovës së shpejti do të marrin mandatin e ri të tyre. Natyrisht, gjithmonë duhet ta kujtojmë se këto forca janë bërë në partneritet me Paktin NATO dhe kështu do të jetë gjithmonë. Ne duam ta bëjmë marrëveshjen historike me Serbinë, që duhet të sjellë njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes nesh, si dy shtete fqinje. Ne nuk pranojmë asgjë më pak se njohjen formale nga Serbia. Njohja reciproke Kosovë-Serbi hap rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, për të dy vendet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurse, dështimi i arritjes së marrëveshjes dhe mungesa e njohjes reciproke, sipas presidentit Thaçi, nënkupton status-quo dhe vazhdim të konfliktit të ngrirë.

Presidenti Thaçi ka thënë se për realizimin e këtyre qëllimeve të rëndësishme për vendin tonë, Kosova e di që e ka përkrahjen e shtetit mik të Gjermanisë, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/

Exit mobile version