Ai tha se Kosova dëshiron që të themeloj një ushtri funksionale, multietnike dhe të standardeve të NATO-s.
“Sa i përket themelimit të Ushtrisë së Kosovës mund të them se pavarësisht nga pengesat është mirë që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë marr qëndrim të qartë, ata që largohen nga FSK, automatikisht largohen nga Ushtria e Kosovës. Nuk ka hajgare për tu larguar e për tu rikthyer… Duam të themelojmë një ushtri funksionale, multietnike me standarde të NATO-s”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i vendit, Thaçi po ashtu tha se asnjë organizim që është kundër Ushtrisë së Kosovës i motivuar me agjendë të qartë nga Beogradi, nuk do të mund ta frenoj të ardhmen euroatlantike të Kosovës, themelimin e ushtrisë dhe multietnicitetinë e Forcës së re të Kosovës.
Ndryshe, Thaçi ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se ky proces nuk do të jetë i lehtë, por i rëndë.
Thaçi tha se vullneti i tij është që të gjitha partitë politike të përfshihen në dialog.
“Sot i kam takuar të gjithë liderët e partive politike, partnerët e koalicionit që i kemi, kryeministrin, kryeparlamentarin dhe liderët e koalicionit qeverisës dhe është një vullnet që të japin kontributin e tyre. Ajo që është me rëndësi të gjithë janë në favor të dialogut, në favor që bartësit e institucioneve të përfshihen në dialog. Është vullneti im që të përfshihen të gjithë, liderët e partive politike të përfaqësuara në parlament. Nuk do të jetë një proces i lehtë, do të jetë shumë i rëndë, shumë ballafaques. Kërkohet unitet, bashkë përgjegjësi por edhe shpërndarje e atyre meritave nëse arrijmë në finale çfarë dëshirojmë të arrijmë”, tha Thaçi.