Site icon PrishtinaPress

Testet e alergjisë tash e disa vite nuk po bëhen në Dermatologjinë e QKUK-së

Në Klinikën e Dermatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tash e disa vite mungojnë Patch Testet, funksioni i të cilëve është identifikimi i alergjenit të veçantë që shkakton reaksione alergjike. Nga kjo klinikë thonë se brenda këtij viti, mbi 300 pacientë kanë pasur nevojë ta bëjnë këtë test. Ndërsa, nga ShSKUK-ja theksojnë se ky lloj testi nuk bën pjesë në Listën Esenciale dhe se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për furnizim. Ndërkaq, në klinika private, bërja e një testi të tillë kushton nga 30 deri në 50 euro.


Dermatologia në Klinikën e Dermatologjisë, Fatime Kokollari tregoi se Patch Testet vendosen në shpinë ose në krahë, në formë fllasteri, të cilat kanë përmbajtje të një alergjeni të caktuar.

Ajo theksoi se seti i një Patch Testi, është i përbërë prej rreth 30 alergjenëve, i cili bëhet me qëllim të diferencimit të dermatitit në kontaktin irritativ prej atij të kontaktit alergjik.

Kokollari tha se disa nga veprimtaritë që më së shumti japin reagim të lëkurës janë, ndërtimtaria, hoteleria, shëndetësia dhe parukeria.

Ekspertja e lëkurës, Fatime Kokollari theksoi se ka mbi 4 vite prej kur ky lloj testi nuk bëhet në Klinikën e Dermatologjisë, derisa shtoi se gjatë këtij viti mbi 300 pacientëve u është rekomanduar t’i nënshtrohen Patch Testit.

Kokollari theksoi se nëse vërtetohet me Patch Test që dermatiti është i kontaktit alergjik, duhet ndërruar vendi i punës i personit sepse nuk pritet që sëmundja të rregullohet.

Ndërkaq, përmes emailit Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) thonë se produkti në fjalë nuk bën pjesë në Listën Esenciale, derisa theksojnë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga Klinika e Dermatologjisë për furnizim.

Por, nga menaxhmenti i kësaj klinike thonë se tash e disa vite kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për sigurimin e këtyre testeve.

Po ashtu, për KosovaPress një vajzë e cila ka dashur të mbetet anonim, ka treguar se për shkak të problemeve me lëkurë, është detyruar që ta bëj Patch Testin në një klinikë private, derisa shtoi se çmimi që pagoi ishte rreth 50 euro. Ajo tha se për të si studente, kjo shifër nuk ka qenë edhe aq e vogël.

Mediumi ka kontaktuar me disa klinika private për të pyetur se sa kushton bërja e një testi të tillë, dhe të njëjtat janë përgjigjur se çmimi varion nga 30 deri në 50 euro.

Patch Test u zbulua në vitin 1895 nga profesori i Dermatologjisë në Universitetin e Wroclaw.

Më pas, profesori në Universitetet e Bazelit dhe Cyrihut, Bruno Bloch vazhdoi dhe zgjeroi punën klinike dhe eksperimentale të Jadassohn.

Sot, testet Patch ose testet epikutane janë një metodë e standardizuar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Exit mobile version