Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka shpërndarë një sekuencë nga qyteti i Buchas, i cili tash e disa javë ka qenë i pushtuar nga agresioni rus.
Në video shihet një rrugë e qytetit e cila pasqyron terrorin e këtyre ditëve, me trupa të vdekurish në mes të rrugës.
Këtë gjë, Mbrojtja e Ukrainës e ka quajtur “Srebrenica e Re”.
“Srebrenica e re. Qyteti ukrainas i Bucha ishte në duart e kafshëve ruse për disa javë. Civilët vendas po ekzekutoheshin në mënyrë arbitrare, disa me duar të lidhura pas shpine, trupat e tyre të shpërndarë nëpër rrugët e qytetit” ka shkruar Ministria e Mbrojtjes në Twitter.
Forcat ukrainase hasen në tanke ruse të shkatërruara në hyrje të qytetit, gjë që pasqyron rezistencën e banorëve të Buchas.
Autoritetet ukrainase po akuzojnë Rusinë për krime lufte, duke e krahasuar vendin me Srebrenicën, qytetin boshnjak ku forcat serbe kryen një nga masakrat më të mëdha në Evropë.