Me Ligjin për ndërmarrjet publike, ndërmarrjet publike, janë përgjegjëse për pagimin e të gjitha kompensimeve për drejtorët e saj vetëm nga pagesat e parapara me vendimin e Aksionarit dhe nuk do të marrin asnjë kompensim ose përfitim tjetër nga NP-ja. Po ashtu, edhe kompensimi i Komisionit Komunal të Aksionarëve bëhet sipas vendimit për përcaktimin e kompensimit të Aksionarëve të Ndërmarrjeve Publike Lokale.
Ky vendim vlen vetëm për aksionarët e zgjedhur nga Kuvendi i Komunës, përderisa kompensimi i aksionarëve të deleguar nga Kryetari i Komunës bëhet me një vendim të veçantë.
Mirëpo Auditori i Përgjithshëm, në auditimin e pasqyrave financiare për ndërmarrjen “Termokos” gjeti se këto dispozita nuk ishin përfillur.
Anëarët e Bordit të kësaj ndërmarrje dhe disa zyrtarë u shpërblyen me bonuse në vlerë të 38 mijë e 120 eurove.
“Bordi i drejtorëve të “Termokosit” me datë 18.05.2021 ka nxjerrë propozim-vlerësim për stimulimin e performacës vjetore për vitin 2020 të Bordit të Drejtorëve dhe Zyrtarëve të Ndërmarrjes, pa aprovimin e Komisionit Komunal të Aksionarëve në vlerë 38,120 euro”, thuhet në raportin e Auditorit.
“Po ashtu kompania ka bërë pagesat mujore të anëtarit të tretë të komisionit komunal të deleguar nga Kryetari i Komunës në shumë prej 3,174€, pa një vendim që obligon kompaninë për kompensimin e tij. Sipas menaxhmentit të ndërmarrjes, pagesa e anëtarëve të Komisionit Komunal dhe Bordit të Drejtorëve është bërë me qëllimin më të mirë si rezultat i përkushtimit dhe anagazhimit të tyre”.
Sipas Auditorit, “pagesa e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve dhe Bordit Drejtues pa vendim të organeve përgjegjëse si dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndikon në shpenzimin e parave publike pa bazë ligjore”.
“Bordi i Drejtorëve të sigurojë se janë vendosur kontrolle adekuate të cilat do të parandalonin kompensimet pa vendim të organeve përgjegjëse dhe konform legjislacionit në fuqi”.