Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, ka thënë se figura e heroit kombëtar, Adem Jasharit, nuk mund të ndahet nga figura e presidentit Ibrahim Rugova. Ajo madje, tha se Jashari ka rënë heroikisht pranë fotografisë së Rugovës.
“Adem Jashari ka luftuar dhe ka rënë hero i këtij vendi, me fotografinë e Ibrahim Rugovës. Në odën e tij e ka pasë varur, ditën që është vrarë, fotografinë e Ibrahim Rugovës. Prandaj, po më duket tendencioze me nda këtë binom të epokës vendimtare të Kosovës”, ka thënë ajo.
Madje, ajo u shpreh se pikërisht sipas “konceptit rugovian, duhet të formohet edhe Ushtria e ardhshme e Kosovës”, për të cilën presidenti aktual, Hashim Thaçi, inicioi një ligj që tash po kërkon që të bëhet me ndryshime kushtetuese.
“Ushtria, si dhe shumë gjëra të tjera, duhet të bëhen sipas konceptit rugovian, në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe në bashkëpunim të plotë me NATO-n”, ka thënë ajo.
Për vrasjet politike të pasluftës, për zbardhjen e të cilave tani janë shtuar zërat, Tërmkolli tha se kjo është hipokrizi.
“Me gjithë respektin për kolegët e mi, por është hipokrizi shumë e madhe sot të përmenden vrasjet politike në kuptimin e drejtimit të akuzave ndaj PDK-së, kur qe dy mandate jemi në koalicion me të njëjtën parti”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së, për Demarkacionin me Malin e Zi insiston se duhet të ketë konsensus politik.
https://www.youtube.com/watch?v=4mKANGYVue4