Site icon PrishtinaPress

Tërhiqet qeveria, lirohen masat për mallrat nga Serbia

Që prej të shtunës pasdite janë liruar masat për mallrat nga Serbia, të cilat ishin ndaluar me një vendim të Qeverisë së Kosovës më 14 qershor.

Pothuajse një muaj më vonë, qeveria ka vendosur që të lirojë masën e sigurisë së ndalimit të hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Vendimi është nxjerrë të shtunën më 8 korrik, tregon një dokument të cilin e ka siguruar Paparaci.

Sipas vendimit të ri të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), nga e shtuna janë liruar nga masa e ndalimit mallrat e lëndës së parë dhe ato me zero TVSH.

MINT-i ka vlerësuar se lirimi i masave për mallrat serbe është nevojë e tregut.

“Në referencë të urdhëresës së datës 14/06/2023, ju njoftojmë se pas shqyrtimit të sigurisë dhe nevojave të tregut kërkohet që të zbatohen përjashtimet si në vijim”, thuhet në vendim, raporton Paparaci.

Pika e parë e vendimit parasheh lirimin nga masat produktet serbe të cilat përdoren në procesin e prodhimit.

“Me kusht që importuesit është i autorizuar për lirim dhe posedon autorizimet sipas aneksit 1 dhe 2 të ATK-së dhe Doganës, përjashtohen nga kufizimi i sigurisë për importin e produkteve serbe të gjitha produktet e përdorura në procesin e prodhimit, të cilat janë të liruara nga detyrimi i akcizës sipas vendimit të Qeverisë 13/07 të datës 06.10.2017, detyrimi doganor sipas vendimi 14/07 të datës 06.10.2017 si dhe TVSH”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, pika e dytë e vendimit parasheh përjashtimin nga masat e ndalimit të të gjitha produkteve serbe të cilat janë të liruara nga TVSH-ja.

“Nga kufizimi i sipër cekur gjithashtu përjashtohen produktet e liruara me normë zero të TVSH-së”, thuhet në pikën 2 të vendimit.

Asnjë kamion me mallra me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës që kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ndalimin e hyrjes së kamionëve me produkte dhe targa serbe në Kosovë më 14 qershor.

Atë ditë, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

Ky vendim ishte marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.

Kosova e konsideronte arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë ishin arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Pas rrëmbimit dhe vendosjes para drejtësisë në Serbi, tre zyrtarët policorë ishin liruar më 26 qershor.

Brenda një dite, Serbia si shtet eksporton mallra në vlerë prej një milion euro në Kosovë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar në tregun vendor kanë hyrë mallra në vlerë prej 372 milionë euro, derisa Kosova ka shitur në Serbi produkte në vlerë prej rreth 62 milionë euro. /Paparaci.com

Exit mobile version