Kompania holandeze “Green Soil Kosovo – LLC” ka njoftuar komunën e Mitrovicës se është tërhequr nga investimi prej 700 mijë eurosh në Zonën e Lirë Ekonomike në Mitrovicë, për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e pemëve dhe të perimeve “të pasigurisë dhe kushteve jo të volitshme që ka ofruar komuna e Mitrovicës”. Mujka: “Green Soil Kosovo – LLC” nuk aplikoi për leje. PDK-ja: Investitorët po i përzë kryetari Bahtiri
Një kompani, e cila kishte arritur marrëveshje me komunën e Mitrovicës që të investojë 700 mijë euro në një projekt që do ta realizonte në Zonën Industriale në Mitrovicë, është tërhequr nga investimi.
Kompania holandeze “Green Soil Kosovo – LLC”, ka njoftuar komunën e Mitrovicës se është tërhequr nga investimi prej 700 mijë eurosh në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës, për shkak siç thuhet në njoftim, “të pasigurisë dhe kushteve jo të volitshme, të cilat janë krijuar nga komuna e Mitrovicës”.
“Në planifikimet tona investive ishte ndërtimi i një fabrike për përpunimin e pemëve dhe të perimeve që kryesisht planifikonim t’i grumbullonim në rajonin e Mitrovicës dhe të rrafshit të Dukagjinit, ku pastaj produktet tona do t’ia ofronim tregut vendor dhe pjesën kryesore do t’i eksportonim në pikat tona shitëse dhe përfaqësuese në Evropë. Investimet e planifikuara kanë qenë fillimisht 700 mijë euro, por me kalimin e kohës investimet do të ishin milionëshe. Por në ndërkohë jemi ballafaquar me vonesa procedurale, vetëm për ta marrë një përgjigje me shkrim nga zyra e kryetarit të Mitrovicës kemi pritur me ditë të tëra. Investitorët nga Holanda janë irrituar nga përgjigjja joadekuate, e kur ia shtojmë edhe vonesat, atëherë pezmatimi i tyre ka qenë edhe më i madh. Ju e dini se sa janë të ndjeshme kompanitë e huaja në vonesa të paarsyeshme”, thuhet në njoftimin e kompanisë “Green Soil Kosovo – LLC”, për tërheqje nga investimet./Zëri/PrishtinaPress.eu