Site icon PrishtinaPress

Tërheqje “taktike” nga shfuqizimi i Speciales

Deputetët e PDK-së nuk dëshirojnë të flasin nëse ende qëndrojnë prapa iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, sidomos pas deklarimit të kreut të partisë, Kadri Veseli, se ky institucion ndërkombëtar i drejtësisë nuk duhet të ndalet.

“Nuk kam ndonjë informacion dhe nuk kemi pasur asnjë takim. I kam dhënë disa prononcime dhe s’dua ta riaktualizoj këtë punë”, ka thënë deputeti i këtij subjekti politik, Zenun Pajaziti.

Ndërsa, bashkëpartiaku i këtij të fundit, deputeti Bekim Haxhiu, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet e gazetës “Zëri” rreth kësaj gjykate. Ai deklaroi se nuk dëshiron të prononcohet për këtë çështje.

“Nuk dua të prononcohem”, ka thënë shkurt Haxhiu.

Njësoj ka vepruar edhe deputeti tjetër i PDK-së Mërgim Lushtaku, i cili me të kuptuar temën nuk ka dashur të flasë.

Gazeta ka provuar të bisedojë edhe me deputetët Nait Hasanin, Nezir Çoçajn dhe Xhevahire Izmakun, por edhe këta të fundit kanë refuzuar të flasin, duke e mbyllur telefonin vazhdimisht.

Derisa deputetët e PDK-së nuk deklarohen për këtë çështje, deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, ka deklaruar për “Zërin” se e ka tërhequr nënshkrimin nga nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe ka thënë se kjo gjykatë nuk duhet të shfuqizohet.

 

Exit mobile version