Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka vendosur të mos aplikojë për pozitën e emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pozitë të cilën e kishte synuar tash e disa kohë. Ai tashmë e ka konfirmuar se nuk ka dorëzuar kandidaturën për postin e të dërguarit të ri të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka zbuluar disa nga arsyet që e çuan deri tek marrja e këtij vendimi.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ai e ka përmendur si arsye edhe mandatin vetëm një vjeçar, derisa ka shtuar se pikëpamjet e tij janë ndryshe me ato të BE-së sa i përket zgjerimit.
“Në bisedat joformale, ishte e qartë se pikëpamjet e mia personale për zgjerimin devijonin nga politika zyrtare e BE-së. Kjo nuk duhet të jetë pengesë për një profesionist në pozicionin e të dërguarit special, pasi ai është i detyruar nga udhëzimet. Megjithatë, arrita të konstatoj se nuk ka asnjë mirëkuptim për këndvështrimin tim, që, natyrisht, edhe në bazë të kushteve të përmbushura të ndonjë prej 6 vendeve, ata do të pranonin vendet në paketë.
Unë e kuptoj se avokimi për pranimin e hershëm të Malit të Zi dhe ndoshta të Shqipërisë është joshëse për shumë arsye. Por nga pikëpamja e stabilitetit gjeopolitik të rajonit dhe e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një qasje e tillë mund të jetë më shumë pengesë sesa nxitje”, ka shkruar Pahor.
Mes tjerash, Pahor ka potencuar se ka mësuar se BE-ja po kërkon një diplomat për këtë pozitë, e jo një politikan.
“Nëpërmjet bisedave të panumërta joformale, përfundimisht mu bë e qartë se ata po kërkonin një diplomat, jo një politikan, si një të dërguar special. Ky është sigurisht një vendim legjitim, por vazhdon një politikë e dialogut teknik, e cila nuk është dëshmuar shumë mirë.
“Për mendimin tim, për shkak të situatës shumë të ndryshuar, ka ardhur koha për një politikan në këtë post dhe për ndërhyrje politike, natyrisht nën udhëzimet e Përfaqësueses së Lartë. Frika se mund të jem arbitrar për shkak të posteve të mia të larta politike në të kaluarën është e pabazë”, ka deklaruar ai.
Gjatë vitit të kaluar, Pahor kishte shprehur publikisht interesimin për të marrë pozitën si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.