Site icon PrishtinaPress

Tentoi të fuste 44 mijë euro të padeklaruara, arrestohet një person në portin e Durrësit

Policia e Shtetit informoi sot se u arrestua një 53-vjeçar në portin e Durrësit dhe u sekuestruan 44 mijë euro të padeklaruara në doganë, si dhe mallra të kontrabanduara.

I arrestuari në kuadër të operacionit “Destinacioni”, është i dyshuari me inicialet N.A.

“Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip furgon të linjës Vlorë-Itali, që drejtohej nga shtetasi N. A. Gjatë kontrollit të ushtruar në furgon, në pjesën e tapicerisë, shërbimet e Policisë, duke përdorur metodat bashkëkohore të kontrollit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 44 000 euro, sasi e konsiderueshme pesticidesh, medikamente mjekësore dhe pije, të cilat shtetasi N. A. tentoi t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi N. A., 53 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.”, informoi Policia.

Po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Exit mobile version