Një konflikt Presidencë-Qeveri, u inicua disa ditë më parë kur presidentja Osmani kërkoi nga qeveria që të pezullojë taksën prej 10% që Kosova e ka të vendosur ndaj mallrave të SHBA-së.
Pasi Qeveria në detyrë deri më tani nuk e ka përfillur propozimin e saj Osmani ka folur plot pezm duke thënë se “është presidente e Kosovës” dhe jo e Serbisë.
Ajo vlerëson se propozimi në fjalë është dashur të mirëpritet nga Qeveria.
“Dhe në vend se të mirëpritet një propozim nga Presidentja e Kosovës, unë nuk jam Presidente e Serbisë, jam e Kosovës, në fakt propozimet edhe nga qytetarët kur vijnë ato duhet të mirëpriten, e lëre më nga Presidentja e Kosovës, që e mbron interesin e Kosovës”, ka deklaruar Osmani në Klan Kosova.
“Unë pash në fakt refuzim, në praktikë, kjo është refuzim”, është shprehur tutje Osmani.
Ajo e ka quajtur të turpshëm faktin që Serbia ka zero taksa, ndërsa aleatit tonë SHBA-së i është vënë taksa.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i kishte reaguar ashpër presidentes Vjosa Osmani, duke i thënë se temat si kjo për taksën trajtohen larg mediave dhe “publiku njoftohet kur të merret vendimi”.
Më pas zëdhënesi i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, kritikoi ashpër ministrin e Financave, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe respekti institucional.