Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur ditën e sotme për tensionet në veri të Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia kryesore është e Beogradit.
“Kërcënimi i vetëm për qytetarët e veriut të Kosovës janë këto banda që ushtrojnë atje një aktivitete të caktuar. Përgjegjësia është e Beogradit që u mban gjallë dhe i aktivizon sa herë kërkon të krijojë situata artificiale”, deklaroi Meta në RTSH.
Ai u shpreh se përgjegjës për politikën provokuese të Serbisë është edhe kryeministri i vendit tonë Edi Rama, cili ka mbështetur iniciativat e Beogradit duke i dhënë atij dominim në rajon. Ai shtoi se paqartësitë e Tiranës zyrtare nuk i kanë shërbyer forcimit të pozitës së Kosovës, por e kanë vendosur atë në trysni të panevojshme për t’u bërë pjesë e nismës ‘Ballkani i Hapur’.
“Nuk ka shqiponja. Është një simbol i jashtëzakonshëm që duhet të na frymëzojë për qëndrueshmëri, si populli dhe komb. Edhe për vullnet për t’u ngritur në lartësi të reja dhe të dalë nga bataku i përçarjes ku na kanë futur të tjerë. Nëse Beogradi ka vazhduar një politikë të vazhdueshme provokimi, përgjegjësi ka edhe kryeministri i Shqipërisë që ka qenë shoqërues i Vuçiç në iniciativat për t’i dhënë dominim Serbisë në rajon.
Shpesh paqartësitë e Tiranës zyrtare për disa çështje mendoj se nuk i kanë shërbyer as vetë forcimit të pozitës së Kosovës duke vendosur atë në trysni të panevojshme për ta përfshirë në Ballkanin e Hapur. Apo edhe raste të tjera për të ndihmuar Serbinë që të duket si vend konstruktiv dhe për të bërë që Kosova të duket sikur është kundër bisedimeve. Serbia i shfrytëzoi këto vite për të marrë sa më shumë lekë nga BE dhe për t’u larguar nga politika e BE”, tha ai./Prishtinapress/