Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologen e tij në Kosovë, Vjosa Osmani.
Begaj shprehet se, është informuar mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës duke shprehur shqetësim në lidhje me këtë çështje.
Ai thotë se ka inkurajuar vazhdimin e dialogut mes palëve, duke pasur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO.
Postimi i plotë i Bajram Begajt:
Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.
I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO.
Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.