1.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Tensionet në veri, Kurti i mblodhi për herë të parë ministrat fizikisht pas dy javësh

Situata në veri ka ndikuar edhe në punën e Qeverisë së Kosovës. Që prej tensionimit të situatës atje, Kurti s’i ka mbledhur asnjëherë ministrat e tij fizikisht, deri sot. Një mbledhje elektronike, Qeveria e ka mbajtur para dy ditësh, ku në rend dite ka qenë vetëm një pike, sipas njoftimit nga ekzekutivi. Në të sotmen, kanë qenë 21 pika.

Qeveria e Kosovës është mbledhur sot për herë të parë me prezencë fizike që prej tensionimit të situatës në veri të vendit. Situata atje është tensionuar nga 26 maji, e mbledhja fundit e Qeverisë është mbajtur dy ditë para kësaj date.

Kurti i ka mbledhur ministrat edhe para dy ditësh, por vetëm në formë elektronike.

Në rend dite, kishte qenë vetëm një pikë. Ishte miratuar Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për njohjen e së Drejtës së Ushtrimit të Profesioneve të Avokatit dhe Ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme kanë qenë 21 pika në rend të ditës, ndër të cilat edhe shqyrtimi i Projektligjit për Fondin Sovran, që nga kryeministri Albin Kurti u cilësua si një prej projektligjeve më të rëndësishme.

“Nga viti 2017, janë bërë më shumë se 6 vjet prej kur për herë të parë si Lëvizje VETËVENDOSJE! kishim prezantuar idenë dhe projektin e Fondit Sovran. Prej atëherë ai ishte pjesë qendrore e programeve tona zgjedhore e qeverisëse, përfshirë edhe programin e Qeverisë Kurti 1. Prej idesë, në koncept. Prej zotimit, në projekt. Fondi Sovran po bëhet”, tha Kurti kur e prezantoi këtë projektligj.

Projektligji u miratua pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim. Kurti bëri me dije se ndërmarrjet publike, së bashku me 24 mijë asete tjera do të barten nga qeveria në këtë Fond.

Një javë pas kësaj mbledhje, Kurti bëri me dije se do të mbahet mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.

“Në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore ashtu që importi, tranziti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të kryhen në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit.  Si dhe arritja e një marrëveshje që përmes bursave të studimit do të nxisë mobilitetin e studentëve në të dy vendeve tona”, tha Kurti.

Ndryshe, situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë.

Situata eskaloi më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR’it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR’it, njëmbëdhjetë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez.

Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR’i në veri, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, ka deklaruar Ristuccia.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img