0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Tensionet Kosovë-Serbi dëmtojnë përparimin demokratik, thotë raporti i Freedom House

Organizata Freedom House, tha se Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë në shkallën e demokracisë nga 3.25 pikë sa ishte vitin e kaluar në 3.29 këtë vit, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët dhe 7 niveli më i lartë i demokracisë.

Në raportin mbi vendet në tranzicion i titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022, thuhet se “marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të dëmtojnë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme”.

Raporti përfshinë tensionet në veriun e Kosovës përgjatë vitit 2022 rreth masave të qeverisë së Kosovës rreth përdorimit të targave të makinave dhe dokumenteve të identifikimit që u pasuan me bllokim rrugësh gjatë verës dhe në muajin dhjetor.

“Protestat e serbëve vendas treguan ndikimin e Beogradit në veriu e Kosovës, duke theksuar vështirësitë me të cilat përballen institucionet qendrore dhe lokale për zgjerimin e autoritetit dhe sundimit të ligjit në atë territor, si dhe nevojën për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Megjithatë, përkundër këtyre pengesave, qeveria e Kosovës u përgjigj me shpejtësi duke shtuar patrullat policore dhe duke bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare të pranishme në vend me qëllim të rritjes së ndjenjës së sigurisë, duke i dhënë përparësi dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në raport, shkruan VoA.

Organizata thekson se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, mbetet një nga temat kryesore në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Serbia vazhdon të ngulë këmbë për zbatimin marrëveshjes rreth tij, ndërsa Kosova pohon se asociacioni shkel kushtetutën e saj dhe minon karakterin shumetnik të vendit.

Organizata Freedom House thekson se situata në veriun e Kosovës bëri që shpesh qeveria të jetë e përqendruar drejt uljes së tensioneve, shtimit të bisedimeve dhe përmbylljes së një marrëveshjeje me Serbinë, duke shpërqendruar kështu zyrtarët nga çështjet e përditshme të qeverisjes dhe zbatimi i reformave më të thella.

Sipas raportit shoqëria civile e Kosovës mbeti aktive në vitin 2022, me grupe që organizuan protesta për të drejtat e grave dhe kundër dhunës ndaj grave si dhe rritjen e buxhetit për strehimoret për viktimat e dhunës në familje.

“Pas protestave të vazhdueshme dhe trysnisë nga shoqëria civile, qeveria prezantoi ndryshime ligjore që do të mundësojnë trajtimin me përparësi të rasteve të dhurnës me bazë gjinore pasi autoritetet policore dhe gjyqësore kanë tendencë të japin dënime të buta ndaj autorëve të dhunës së tillë. Duke pasur parasysh se shoqëria patriarkale e Kosovës ende paraqet sfida për gratë, përfshirë abuzimin sistematik nga bashkëshortët dhe të afërmit, nisma e qeverisë për të luftuar kundër dënimeve të buta dhe për t’u dhënë përparësi rasteve të dhunës me bazë gjinore është një fitore e madhe për shoqërinë civile dhe vendin”, thuhet në raport.

Organizata thekson se parakalimi i Krenarisë, në mbështetje të pjesëtarëve të komunitetit LGBT+ në Prishtinë u organizua pa incidente për të pestin vit radhazi pasi komuniteti po bëhet më i hapur përmes punës së organizatave joqeveritare. Megjithatë, thuhet në raport, situata në zonat rurale dhe qytetet më të vogla është ende e vështirë, me shumë individë që kërkojnë ndihmë nga OJQ-të për strehim dhe punësim. Raporti vë re se lidhur me të drejtat e barazisë martesore, komuniteti fetar në Kosovë ka ndikuar fuqimisht në popullsi dhe politikëbërje, duke çuar në refuzimin nga parlamenti të një projekt kodi civil për shkak të martesa brenda seksit të njëjtë.

Raporti përmend strehimin e 20 gazetarëve ukrainas që ikin nga lufta dhe 5 gazetarëve afganë që ikin nga përndjekja duke theksuar se qeveria pretendoi se programe të tilla tregojnë mbështetjen e saj ndaj medias, por organizatat mediale ndërkombëtare dhe vendase argumentojnë se gazetarët në Kosovë shpesh janë viktima të sulmeve për shkak të dënimeve të buta dhe përballen me trysni dhe retorikë toksike nga politikanët Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar rreth 38 sulme fizike dhe verbale kundër gazetarëve gjatë vitit, me 8 sulme vetëm në dhjetor gjatë protestave në rrugët veriore që çojnë drejt kufirit me Serbinë.

“Na ka bërë përshtypje të madhe roli që ka luajtur shoqëria civile në Kosovë gjatë vitit të fundit”, tha Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit, duke theksuar se ajo mund të luajë një rol aktiv edhe në zgjidhjen e situatës me Serbinë.

“Shohim se janë dy persona që e drejtojnë këtë proces: Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër. Mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë më tepër që në drejtimin e këtyre negociatave të sjellë në procesin e negociatave zërat e shoqërisë civile dhe perspektivën e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht atyre në veri”, thotë zonja Karppi.

Në vitin 2022, thuhet në raport, politikanët kryesorë u akuzuan shpesh për ndërhyrje në gjyqësor dhe vendimet gjyqësore për pronat e një manastiri ortodoks serb nuk u zbatuan, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare. Ndërsa Gjykata e Posaçme e Kosovës shpalli një vendim historik për krimet e luftës kundër një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dënimi i butë për korrupsionin dhe rastet e dhunës seksuale dhe të dhunës me bazë gjinore, janë kritikuar.

Kosova, thuhet në raport, ndërmori hapa në luftën kundër korrupsionit në vitin 2022, me operacionet e policisë kundër ryshfetit që çuan në arrestimin e rreth 100 zyrtarëve të policisë kufitare. Përveç kësaj, qeveria nisi një operacion në shkallë të gjerë kundër ndërtimeve të paligjshme dhe zyrtarëve të korruptuar, i cili çoi në konfiskimin e 75 vilave nga gjyqtarët, politikanët dhe anëtarët e familjeve të tyre në Qendrën turistike të Brezovicës.

“Lëvizja Vetëvendosje e qendrës së majtë, aktualisht në krye të qeverisë, nga popullata e Kosovës perceptohet si qeveria më pak e korruptuar në vend. Partia e konsideron luftën kundër korrupsionit si një nga zotimet dhe arritjet e saj thelbësore, siç dëshmohet nga veprimet e saj ndaj keqbërjeve të nivelit të lartë”, thuhet në raportin e Freedom House.

Raporti thekson se lufta në Ukrainë rriti nivelin e pasigurisë në Kosovë duke pasur parasysh lidhjet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Kjo ka çuar në një rritje të dezinformatave dhe lajmeve të rreme për përshkallëzimin e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë rekomanduan që Kosova të shfrytëzojë momentin e mbështetjes perëndimore për Ukrainën për të intensifikuar përpjekjet e veta për njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Rusia e ka përdorur “rastin e Kosovës” për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë pasi nuk e njeh Kosovën.

Duke përmendur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporti thekson se marrja e statusit të vendit kandidat është një luftë e vështirë për Kosovën pasi pesë vende anëtare të bllokut nuk e njohin pavarësinë e saj dhe kërkohet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img