Site icon PrishtinaPress

Tension në Kuvend – Konjufca thërret në takim nënkryetarët dhe shefat e grupeve parlamentare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar në takim nënkryetarët e këtij institucioni dhe kryetarët e grupeve parlamentare të partive që të mbajnë mbledhje për të diskutuar për procedimin e mëtutjeshëm të seancës së sotme plenare.

“Ftoj nënkryetarët e kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare që ta mbajmë një mbledhje për të diskutuar për procedimin e mëtutjeshëm të seancës dhe pastaj takohemi në orën 14:00”, ka thënë Konjufca.

Ftesa për mbajtjen e këtij takimi erdhi pas tensioneve të shumta të shkaktuara nga partitë opozitare, të cilat duke goditur tavolinat e tyre bënin zhurmë dhe pengonin punën e Kuvendit të Kosovës me kërkesën për të vazhduar seancën e mbetur në gjysmë për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

Duke qenë se kryeparlamentari Konjufca tha se nuk e sheh të arsyeshme ndërprerjen e seancës së sotme, ajo vazhdoi me pikat e rendit të ditës, ku njëra prej tyre ishte votimi i dy kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese.

Në momentin kur nisi votimi, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës morën kutinë e votimeve dhe e dërguan te vendet ku ulen deputetët e kësaj partie. Pas tyre, kutinë e votimit e morën edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës duke mos lejuar votimin. Kështu, puna e Kuvendit u bllokua, ndërsa seanca pritet të vazhdojë në orën 14:00.

Exit mobile version