11.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Tenderi i QKUK-së për pastrim, shoqëria civile ngrit alarmin

AVONET i ka reaguar zyrës së Prokurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për shkak të tenderit për pastrim, sipas tyre ky institucion po neglizhon procedurën e prokurimit të hapur dhe shfrytëzon procedurë të negociuar pa publikim, shkruan Insajderi.

“Kjo sjellje jo e mirë dhe jotransparente e Autoritetit Kontraktues (QKUK) është shqetësuese për integritetin e prokurimit publik dhe për përdorimin e parave publike”, thuhet mes tjerash në reagim.

Deklaratë për media:

Ne, si AVONET, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me veprimet e paqarta të zyrës së prokurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kemi identifikuar dhe denoncojmë publikisht se QKUK ka neglizhuar procedurat e prokurimit të hapur dhe ka shfrytëzuar procedura të negociuara pa publikim. Kjo sjellje jo e mirë dhe jotransparente e Autoritetit Kontraktues (QKUK) është shqetësuese për integritetin e prokurimit publik dhe për përdorimin e parave publike.

QKUK kishte një kontratë të vlefshme për shërbimet e pastrimit me numrin e prokurimit 00220-20-313-2-1-1, e cila ishte kontratë publike kornize për 36 muaj, nga data 20.10.2020 deri më 20.10.2023.

Megjithatë, ne kemi identifikuar se QKUK ka filluar një procedurë të re të prokurimit për të njëjtat shërbime, duke filluar më datën 05.10.2023, me titull të projektit: “Pastrimi i Hapësirave të brendshme, të Objekteve në QKUK-ë” me numër të prokurimit: 701-23-10641-2-1-1.

Ne kemi shqetësimet tona për vonesën në fillimin e kësaj procedure, duke dyshuar se një operator ekonomik është favorizuar për të përmbushur kërkesat e njoftimit për kontratë dhe dosjes së tenderit.

Nëse kjo vonesë nuk do të kishte ndodhur, procedurat për lidhjen e një kontrate të re do të kishin filluar më herët, duke parandaluar situatën aktuale ku janë deponuar ankesa pranë OSHP-së.

AVONET ka hulumtuar se Autoriteti Kontraktues(QKUK) ka ndërruar disa herë kriteret e vlerësimit në dosjet e tenderit, duke rritur dyshimet tona se kushtet janë tentuar t’i përshtaten një operatori ekonomik të caktuar.

Ky veprim jo i mirë tregon se Autoriteti Kontraktues nuk është i përkushtuar për zbatimin e LPP, rregullave dhe procedurave të prokurimit publik. Ne kemi dyshime të forta se ky veprim nuk është thjesht një gabim administrativ, por është një përpjekje e qëllimshme për të favorizuar OE duke shkelur transparencën dhe integritetin e prokurimit publik.

Ne kërkojmë nga Bordi i SHSKUK-së dhe Drejtorisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) që të marrë masa urgjente dhe të fillojë procedura ndaj zyrtarëve të prokurimit për neglizhencë dhe keqmenaxhim të parave publike.

Po ashtu, kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit të fillojë hetimet lidhur me dyshimet tona për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtarë.

Është e rëndësishme që drejtësia të bëhet dhe përgjegjësitë të përcaktohen për të mbrojtur integritetin e prokurimit publik dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img