Temperaturat e ulëta që kanë mbretëruar ditëve të fundit, e sidomos gjatë natës së mbrëmshme, kanë dëmtuar në masë të madhe pemët në Malishevë.
Më të dëmtuarit janë pemëtarët të cilët kanë plantacione të mëdha me pemë. Për vlerësimin e dëmeve, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se do të formohet një komision për vlerësimin e dëmeve.
Formimin e komisionit, kryetari Begaj e ka paralajmëruar vizitën që ju ka bërë disa pemishteve, gjatë ditës së sotme.
“Dëmet janë të mëdha, dhe për këtë qëllim do të formohet një komision për vlerësimin e dëmeve, edhe pse ne si komunë nuk kemi mundësi të kompensimit të dëmeve”, tha Begaj, gjatë vizitës në një pemishte në Gurbardh.
Milazim Berisha, pemëtar nga Gurbardhi, tha se e ka një pemishte me mbi dy hektarë me kumbull, mirëpo ngricat e mbrëmshme, e kanë dëmtuar në tërësi pemishten.
“Një qind për qind e kumbullave janë dëmtuar dhe këtë vit nuk do të ketë fryte të kumbullës”, tha Berisha, i cili jeton nga kjo punë. Po ashtu edhe pemëtarët tjera, kanë deklaruar njëjtë.
Pothuajse të gjitha kulturat e pemëve janë dëmtuar, por dëme kanë pësuar edhe serrat. Gjithashtu, edhe gjethet e drunjve në male, janë dëmtuar.