Ka gjithnjë e më shumë pacientë me dhimbje në qafë dhe në pjesën e epërmes të kurrizit, që është e lidhur me përdorimin e tepërt të telefonave të mençur , tregojnë hulumtimet botërore.
Kirurgët dhe ortopedët përballen me pacientë të rinj, të cilët kanë probleme me diskus hernia.
Autori i studimit, dr. Tod Lanman, neurokirurg në qendrën medicinale “Cedars-Sinai” në Los Anxhelos, thotë se problemet me kurriz dhe qafë vijnë si pasojë e qëndrimit në telefona. “Qafa qëndron në pjesën e kundërt, pasi njerëzit shikojnë poshtë në ekranet e telefonave të tyre me orë të tëra dhe çdo ditë”, thotë ai.
Sipas mjekëve, pozicionimi i qafës nën këndin 15 shkallësh ndikon që koka të ketë ndjenjën se peshon 12 kg, derisa në pozitën neutrale ajo peshon rreth katër deri në pesë kilogramë. Ngarkesa në kurriz shtohet sipas shkallëve – në 60 shkallë kurrizi ngarkohet për madje 27 kilogramë, në krahasim me 12 kg standardë.
Lanman thotë se problemet janë më të theksuar te gjeneratat e reja, kryesisht për shkak të përdorimit të pandërprerë të telefonit, transmeton KosovaPress.
Ai rekomandon që telefonat mobil të mbahen para fytyrës dhe sugjeron që përdorimi i pajisjes të bëhet me dy duar për të siguruar pozitë sa më shumë simetrike dhe komfore për kurrizin.
Përveç përdorimit të telefonave të mençur, mjekët rekomandojnë personat që punojnë me kompjuterë ose tabletë që të përdorin karrige për monitor, në mënyrë që të qëndrojnë në nivel horizontal, i cili është natyral për sy.
Te laptopët, rekomandohet një adaptim i ngjashëm me ndihmën sidomos të tastierës dhe “miut”, ashtu që të krijohet një pozitë e mirë gjatë punës.