Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen përditë në vendin tonë. Zakonisht janë gratë ato të cilat kërkojnë mbrojtje institucionale për shkak të dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi një grua në Pejë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 44-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore, si pasojë e sulmit fizik nga bashkëshorti i saj.
Viktima ka marrë ndihmë mjekësore dhe më pas ka dhënë dëshminë e saj para organeve të hetuesisë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari, i cili është recidivist i dhunës në familje, është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.