Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen përditë në vendin tonë. Zakonisht janë gratë ato të cilat kërkojnë mbrojtje institucionale për shkak të dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar së fundi edhe një çift nga Mitrovica, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar 40-vjeçarja e cila është ankuar se vazhdimisht ka telashe me bashkëshortin e saj. Sipas saj, rastin e fundit ai ka eskaluar duke e goditur me grushte dhe si pasojë ka marrë lëndime trupore.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Me urdhër të prokurorit, 46-vjeçari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.