Site icon PrishtinaPress

Të shtënat me armë në Mramor: Të dyshuarit dy herë i ikën policisë, zyrtarët policorë u detyruan të qëllonin në drejtim të tyre

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për të shtënat me armë në fshatin Mramor të Prishtinës ku zyrtarët policorë, për shkak të rrezikut, ishin detyruar të përdornin edhe armën e zjarrit.

Lidhur me rastin, policia bën të ditur se fillimisht ka marrë informatën për gjuajtje me armë në Mramor, e më pas ka hasur në një veturë të dyshimtë e që përkundër sinjalizimit ajo s’kishte ndaluar.

“Rreth orës 17:30 është pranuar informata për gjuajtje me armë zjarri në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç ‘rast ka identifikuar një veturë të dyshuar e cila përkundër sinjalizimit të policisë për tu ndalur në pikë kontrolli e njëjta ka refuzuar duke vozitur me shpejtësi të madhe dhe duke manovruar rrezikshëm, kësisoj duke vënë para rrezikut të drejtpërdrejtë zyrtaret policor”, tha fillimisht zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Vetura në lëvizje e tipit “Passat”, duke bërë manovra kishte rrezikuar dy herë jetën e zyrtarëve policorë, duke qenë se ishte krijuar edhe një tjetër pikë kontrolli më pas, por që sërish të dyshuarit s’kishin ndaluar.

Në këtë rast, duke parë rrezikun, zyrtarët policorë kanë shtënë në drejtim të veturës së dyshuar.

“Duke parë rrethanat e ngjarjes policia me shpejtësi ka organizuar edhe një tjetër pikë kontrolli me qëllim ndalimin e veturës së dyshuar porse vetura sërish nuk është ndaluar dhe me manovrime të rrezikshme ka bërë përpjekje të qëllimshme për të goditur zyrtarët policor.

Për të shmangur rrezikun e menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë për jetën, zyrtarët policor janë detyruar të përdorin armën e zjarrit”, tha Ahmeti.

Ajo bëri të ditur se të dyshuarit janë ende në arrati, ndërsa theksoi se Policia e Kosovës bën thirrje që ata të cilët kanë informacione lidhur me rastin, të kontaktojnë pranë këtij institucioni.

“Aktualisht vetura e dyshuar nuk është ndaluar si dhe personat e dyshuar tani për tani janë në arrati. Policia me përkushtim po vijon punën e saj për identifikimin e të dyshuarve të përfshirë në këtë rast si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre.

Siguria e oficerëve dhe qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë më i lartë. I bëjmë thirrje kujtdo që ka informacion në lidhje me personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast të kontaktojë menjëherë policinë”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Exit mobile version